Universiteti i Prishtinës do të mbajë mbledhje komemorative për poetin dhe profesorin Basri Çapriqi.
Mbledhja do të mbahet të martën në Fakultetin e Filologjisë nga ora 10:00, raporton Gazeta Express.

Poeti Çapriqi do të varroset në Prishtinë, nesër në orën 14:30.

Ai ndërroi jetë të dielën, në moshën 58-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë. Ai për një kohë ishte trajtuar në Turqi, ndërsa para pak ditësh ishte shtrirë në Spitalin Amerikan në Kosovë, ku edhe ka ndërruar jetë pasditen e djeshme.

Çapriqi ishte lindur më 15.01.1960, në Anë të Malit, Ulqin. Ka lënë pas vetes gruan dhe dy fëmijë.

Ai ishte profesor i Letërsisë Shqipe, Gazetarisë, Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare në Universitetin e Prishtinës.

I ndjeri ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ka udhëhequr PEN Qendrën e Kosovës, dhe ka botuar më shumë se 100 studime e artikuj nëpër revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendi.

Është përfshirë në dhjetëra antologji të poezisë në gjuhë të huaja (polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht, japonisht, koreane).

Në moshën 58-vjeçare ka vdekur profesori universitar Basri Çapriqi.