Propozim buxheti i kryetarit të komunës së Gostivarit arrin një miliardë denarë, por për këshilltarët të cilët kanë shumicë në këshill, ai nuk është i pranueshëm. Kryetari i komunës, Arben Taravari konsideron se ai duhet të miratohet, ndërsa vërejtjet të përmirësohen me ribalanc.

Dokumenti më i rëndësishëm financiar të cilin vetëqeverisja lokale e vendosi në shqyrtim dhe koordinim me kryetarin e komunës, dje u prezantua në sallën e këshillit.

“Me këtë buxhet janë paraparë disa investime kapitale, vazhdim i disa projekteve të filluara para se ta ndërmarr funksionin e kryetarit të komunës. Me këtë buxhet janë përfshirë pagesat e borxheve të cilat i trashëguam prej rreth 2,5 milionë euro. Propozim buxheti u është dërguar këshilltarëve para dy javëve, por ata nuk gjetën zgjidhje. Përshtypja është se sikur duan të na pengojnë në funksionim. Unë më se sinqerisht shpresoj që kjo gjendje do të tejkalohet dhe do të vijnë para së gjithash të diskutojmë për buxhetin, e më pas edhe të votojmë”, tha Taravari në prezantimin e buxhetit.

Pjesa më e madhe e të ardhurave buxhetore janë dotacione, më pas pasojnë tatimet dhe transferet. Për Këshillin e komunës, përfshirë rrogat themelore, kompensimet, shpenzimet, transferet janë planifikuar rreth 16 milionë denarë, për kryetarin e komunës 12 milionë denarë, ndërsa për administratën komunale pothuajse 93 milionë denarë. Në propozim buxhetin propozohet për ndërtimin dhe rikonstruimin e rrugëve lokale të ndahen 66 milionë denarë, për linja ujësjellësi 9 milionë, ndërsa për kanalizime 7 milionë denarë.

Për anëtarët e këshillit të Gostivarit të cilët formuan shumicë dhe nuk janë në koalicion me partinë së cilës i takon kryetari i komunës, propozim buxheti i komunës së Gostivarit për vitin 2018, në versionin e tanishëm është i papranueshëm, thotë koordinuesi i grupit të këshilltarëve të LSDM-së, Zoran Angellov.

Kryetari i këshillit të komunës së Gostivarit, Nasir Musliu në deklaratën e dhënë javën e kaluar, tha se do të thirr mbledhje për shqyrtimin e propozim buxhetit pas festave.