Presidenti amerikan, Donald Trump, akuzoi Wall Street Journal, një nga të përditshmet më të respektuara në vend, se ka keqinterpretuar në mënyrë të qëllimshme marrëdhënien e tij me liderin koreano-verior, Kim Jong-Un.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders kishte pohuar se fjalia e cituar nga WSJ (“kam një marrëdhënie të mirë me Kim Jong-Un”) – që linte të besoje se dy liderët mbanin kontakte) – ishte në fakt në kushtore. Ajo e shoqëroi mesazhin në Twitter me një banderolë në formë kundërpërgjigje: ”Fake News” (Lajm i rrejshëm).

E përditshmja, nga ana e saj mban versionin e saj.

Presidenti gjithashtu i është rikthyer këtij incidenti duke postuar një mesazh sot në mëngjes: “Wall Street Journal në mënyrë të gabuar ka raportuar se unë kam marrëdhënie të mira me Kim Jong-Un. Natyrisht nuk e kam thënë kështu”.

“Unë kam thënë, se do të kisha një marrëdhënie të mirë me Kim Jong-Un, pra një ndryshim i madh. Për fat të mirë tashmë ne i regjistrojmë bisedat me gazetarët dhe ata e dinë saktësisht se çfarë kam thënë dhe kam dashur të them. Ata thjesht kanë dashur të paraqesin si kryetitull. Fake news”, u shpreh ai.

Shtëpia e Bardhë dhe gazeta kanë publikuar secila në Twitter regjistrimin audio të fjalisë gjatë intervistës dhe duket se Shtëpia e Bardhë ka të drejtë, edhe pse fjalia nuk dëgjohet mjaft mirë. Në gjuhën angleze, ndryshimi është shumë i vogël mes “I have” dhe “I’d have” (mes “kam” dhe “do të kisha”).

Uashingtoni dhe Pheniani po përballen verbalisht prej muajsh në lidhje me programin bërthamor koreano-verior, ku Trump e ka ofenduar në mënyrë të përsëritur liderin e Koresë së Veriut , duke e cilësuar të krisur.