Presidenti amerikan, Donald Tramp theksoi se populli në Iran “përfundimisht po vepron kundër qeverisë brutale dhe të korruptuar”.

“Iranianët përfundimisht ndërmorën aksion kundër regjimit të vrazhdë dhe të korruptuar. Njerëzit nuk kanë mjaft ushqim, ekziston inflacion i lartë dhe nuk respektohen të drejtat e njeriut”, shkroi Tramp në Tuiter.

Zëdhënësi i Minsitrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Behram Gasemi në reagimin ndaj “cicërimës” së Trampit, tha se ai “duhet të kujdeset për miliona të pastrehët dhe njerëzit e varfër në SHBA, e jo ta ofendojë Iranin”.

“Në vend se ta humbë kohën me “cicërima” të padobishme dhe ofendime ndaj popujve të tjerë, më mirë është të kujdeset për miliona të pastrehët dhe të varfërit në SHBA”, tha Gasemi.

Lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Hamnei paraprakisht sot i akuzoi SHBA-në dhe Izraelin për nxitje të trazirave në vend kundër çmimeve të larta dhe Qeverisë.

“Ditëve e fundit, armiqtë e Iranit shfrytëzojnë armë të ndryshme, përfshirë edhe financa në të gatshme, armë, politika… në mënyrë që të krijojnë probleme në Republikën islamike”, theksoi Hamnei në deklaratën e publikuar në faqen e tij zyrtare.

Pritet që ai t’i drejtohet kombit me rastin e ngjarjeve aktuale “kur të jetë koha e duhur”.

Në trazirat gjatë protestave antiqeveritare në Iran, që filluan të enjten, janë vrarë 21 persona, ndërsa 450 janë lënduar.