Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka anuluar vizitën e tij në Londër ku planifikohej të merrte pjesë në inaugurimin e ndërtesës së re të ambasadës së vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Trump nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter, njoftoi se ka anuluar vizitën e tij në Britani. “Dëshironit që ta pres shiritin? Jo.” tha Trump, ku shpjegoi arsyen për anulimin e vizitës:

“Arsyeja që kam anuluar vizitën time në Londër është sepse nuk më pëlqen që administrata e Obama-s ka shitur ndoshta ambasadën më të mirë dhe me lokacion më të mirë në Londër për “kikirika” për të ndërtuar një të re për 1,2 miliard dollarë në një tjetër lokacion. Marrëveshje e keqe”.

– Ftesa që u shndërrua në krizë

Kryeministrja britanike, Theresa May, gjatë vizitës së saj në SHBA në janar të vitit të kaluar Trumpit i kishte përcjellë ftesën zyrtare të Mbretëreshë Elizabeta II, ndërsa në Britani kjo kishte shkaktuar reagime të mëdha.

Për anulimin e vizitës ishte parashtruar një peticion tek parlamenti me afër 2 milionë nënshkrime. Vizita e Trumpit e cila parashikohej të bëhet verën e kaluar ishte shtyrë për një datë të papërcaktuar. Vizita pritej të bëhej për inaugurimin e ambasadës së re të SHBA-ve në Londër.

Reagimet ndaj Trumpit gjatë vitit 2017 vazhduan të shënojnë rritje. Në këtë rritje kontribuoi edhe Trump pasi publikoi në Twitter video anti-muslimane, të cilat fillimisht ishin postuar nga grupi i djathtës ekstreme të quajtur “Britania e Para” (Britain First). Përveç publikut edhe kryeministrja May kishte reaguar për këto postime.

Ish-ambasada amerikane në Londër gjendet në lagjen prestigjioze Mayfair. Ndërsa ambasada e re me karakteristika “eko-miqësore” dhe avantazhe sigurie gjendet në jug të lumit Thames që ndan qytetin në dy pjesë, në Nine Elms.

Mediat britanike shkruan se në kundërshtim me pohimet e Trumpit, transferimi i ambasadës nuk është njoftuar në periudhën e Barack Obama-s, por në vitin 2008 gjatë administratës së George W. Bush.

Vizita e Trumpit planifikohej të bëhej më 26 ose 27 shkurt.