Në këtë gjendje mbetet tregu në fshatin Llabian të Novobërdës çdo të diele.

Kjo pamje përsëritet çdo javë, ngase aty nga ora 8 e deri në orën 12, tregtarë të kafshëve nga qytete të ndryshme shesin dhe therin bagëti

Por therjen e bagëtisë, ata bëjnë jo në thertoren e tregut, por në ambient të hapur.

Në një hapësirë ku nuk ka asnjë element për të kryer këtë punë, ata po e bëjnë vetëm për t’i ikur tarifës prej 5 euro, e cila duhet dhënë në thertore.

Personat që po e kryenin therjen jashtë në hapësirë tregojnë se janë vetë ata që i shesin kafshët, punë të cilën e kryenin në kuadër të çmimit me të cilin e shitnin bagëtinë. Mirëpo, asnjë prej tregtarëve apo blerësve nuk pranuan të flasin para kamerës, raporton KTV.

Në Komunën e Novobërdës thonë se janë në dijeni për tregtinë që bëhet.

Në zyrën e shërbimeve publike, Shefkije Mehmeti tregon se për këtë e kanë dërguar edhe Inspektoratin e komunës.

Mehmeti thotë se gjendja nuk ka mundur të ndryshojë meqë nuk kanë pasur mundësin e shqiptimit të gjobave.

Në kompaninë përgjegjëse për mirëmbajtjen e tregut “Llabjani”, kanë thënë se pastrimi i saj bëhet vetëm gjatë ditëve të javës.