Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Johan Tarçullovski, i cili është në paraburgim shtëpiak, kërkoi nga gjykatësja e lëndës, Vesna Dimishkova, që të marrë pjesë në seancë kuvendore të enjten, kur sekretari gjeneral i NATO-s, do të mbajë fjalim përpara deputetëve, njofton Portalb.mk.

Sipas letrës, Tarçullovski ka theksuar se pjesëmarrja e tij në seancë është në drejtim të përpjekjeve të tij dhe premtimeve përpara qytetarëve për integrim të plotë të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“E nderuar gjykatëse Dimishkova, nëpërmjet mediave është publikuar se më 18 janar në ora 12:00 në Parlament do të mbajë fjalim sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg. Duke e pasur parasysh këtë, Ju lus që në periudhën prej 11:00 deri në ora 15:00, të më lejohet nga ana e Gjykatës të marr pjesë në fjalimin e Stoltenbergut. Do të kisha nderin dhe kënaqësinë ta dëgjoja fjalimin e tij, pasi që jam përkrahës i madh i integrimit tonë në NATO dhe BE”, thotë Tarçullovski.

Ndryshe, Kuvendi në seancën e 25-të e miratoi kërkesën e gjykatës për heqjen e imunitetit të deputetëve Kërsto Mukoski, Zhaklina Peshevskas, Johan Tarçullovskit, Sasho Vasilevskit, Luben Arnaudov dhe Lupço Dimovskit.

Gjashtë deputetët janë pjesë e 36-të personave të cilët Prokuroria Publike Themelore i përndjek për “rrezikimin terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”, lidhur me ngjarjet e 27 prillit të këtij viti në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.