Stuhitë që kanë përfshirë shumë pjesë të Evropës Perëndimore kanë shkaktuar tre të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, mungesë të energjisë elektrike dhe probleme në trafikun rrugor dhe ajror.
Ministria e Punëve të Brendshme të Francës, ku erërat kanë kapur shpejtësinë 160 kilometra në orë, bëri të ditur për një të vdekur dhe katër të plagosur në gjendje të rëndë. Një çift në Spanjë vdiq pas një orteku në zonat malore baske.

Në Gjermani, pemët e shembura në provincat Rhine-Westphalia Veriore, Rheinland Pfalz, Baden-Wurttemberg dhe Bavari, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe stuhisë, me erëra deri në 120 kilometra në orë, shkaktuan ndërprerje në autostrada dhe nisjen e trenave.Kopshtet zoologjike në disa rajone po mbahen të mbyllura për shkak të stuhisë.

Reshjet e dendura kanë rritur nivelin e ujit në lumin Ren, ndërkaq edhe udhëtimet me anije janë kufizuar. Po ashtu bëhet e ditur se janë reduktuar nisjet dhe uljet e avionëve nga aeroporti i Frankfurtit.

Departamenti Meteorologjik i Gjermanisë kërkon nga qytetarët që të qëndrojnë larg rajoneve pyjore, ku paralajmëroi se stuhia mund të vazhdojë deri në mbrëmje dhe se mund të përhapet edhe në pjesën veriore të shtetit.

Stuhia ka përfshirë gjithashtu dhe Zvicrën, ku ka shkaktuar mungesë të energjisë elektrike, anulimin e fluturimeve në Zyrih dhe Bazel si dhe deri tek përmbysja e kamionëve në autostradë. Mediat lokale lajmëruan se janë anuluar së paku 11 fluturime, ndërsa disa të tjera janë ridestinuar në aeroporte të tjera.

Mijëra familje pranë liqenit të Zyrihut kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë, ndërsa zjarrfikësit kanë marrë shumë telefonata për ndihmë për shkak të pemëve të shembura që kanë bllokuar rrugët dhe përmbytjet që shkaktuan reshjet e dendura të shiut.

Stuhia “Eleanor” goditi edhe Britaninë e Madhe, ku mijëra banorë janë pa energji elektrike. Stuhia edhe probleme në komunikacion. Instituti Meteorologjik njoftoi se shpejtësia e stuhisë e cila në disa vende ka arritur në 162 kilometra në orë pritet të ulet sot pasdite.

Instituti u bën thirrje Anglisë, Uellsit, Irlandës së Veriut dhe rajoneve jugore të Skocisë që “të jenë të gatshëm” për kushtet e vështira atmosferike ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun nga përmbytjet në gjithë ishullin për shkak të reshjeve të dendura.

Instituti Meteorologjik i Mbretërisë së Holandës (KNMI), si pasojë e stuhisë së fuqishme që lëviz me shpejtësi 130 kilometra në orë, në pjesën veriperëndimore të vendit ka dhënë alarm portokalli, ndërsa në rajonet e tjera alarm të verdhë. Për shkak të stuhisë, në vend po përjetohen vështirësi në komunikacionin tokësor, ajror dhe hekurudhor.

Stuhia e cila nisi në mbrëmje dhe u përshpejtua në orët e mesditës së sotme, dëmtoi disa shtëpi dhe ndërtesa, ndërkaq me pemët e thyera u dëmtuan automjetet përreth.

Për shkak të stuhisë dhe ngritjes së nivelit të ujërave, për herë të parë në shtet, për shkak të sigurisë janë mbyllur pesë hidrovorët më të mëdhenj në vend. Në Schiphol, aeroportin më të madh në vend ka vështirësi fluturimi, ndërsa janë anuluar mbi 250 fluturime.