Kreut të Ushtrisë së Serbisë Ljubisa Dikovic, i është refuzuar dhënia e vizës nga Ambasada Amerikane në Beograd.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat serbe të cilat i kanë dhënë jehonë mjaft të madhe këtij fakti.

Sipas B92, refuzimi i vizës për shefin e Shtabit të Ushtrisë së Serbisë, mund të ketë lidhje me pjesëmarrjen e tij në luftën e Kosovës në periudhën 1998-1999 ku Dikovic ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm.

Por Dikovic i pyetur sot në Beograd nga gazetarët për këtë fakt, nuk ka dashur të komentojë vendimin e Ambasadës Amerikane në Beograd, por i është përgjigjur tërthorazi interesit të medias se roli i tij në luftën e Kosovës, ka qenë korrekt për një ushtarak madhor dhe në asnjë rast nuk ka kryer krime, apo të ketë dhënë urdhra për krime. Ushtria jonë në asnjë rast nuk ka ushtruar krime në Kosovë, ndërsa konfirmoj se qysh pas hyrjes së trupave të NATO-s në krahinën serbe, 75% e civilëve, ushtarakëve dhe policëve, u kapën peng-tha ai.

Ljubisa Dikovic, do të merrte pjesë në Konferencën e Shefave të Shtabeve të Ushtrive të disa shteteve që ka për qëllim luftën kundër organizatave terroriste. Kjo konferencë u organizua në datat 23, 24 tetor të vitit të shkuar në Washington.