Demokratët në Këshillin e jashtëm politik të Senatit sot paraqitën raport kushtuar ndikimit rus mbi zgjedhjet në vende tjera.

Raport i Kongresit amerikan që u bë publik sot, transmeton Zëri i Amerikës, akuzon Rusinë se ka ndërmarrë një fushatë sulmesh ndaj demokracisë brenda dhe jashtë vendit dhe bën thirrje për një kundër-strategji të shumanshme që të fillojë me udhëheqjen republikane, diçka që sipas reportit ka munguar nga Donald Trampi.

I përgatitur nga personeli demokrat i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, raporti një kopje e të cilit iu dha Zërit të Amerikës paraprakisht thotë se “regjimi i Presidentit Vladimir Putin ka krijuar një sërë instrumentash të sofistikuar për të ushtruar ndikim jashtë vendit” dhe “duket se synon të përdorë pothuajse të gjitha mjetet e mundshme për të minuar institucionet demokratike dhe aleancat trans-atlantike”.

Demokrati më me peshë në Komision, Ben Kardin tha se shqetësimi për ndërhyrjet ruse është dypartiak, në traditën e gjatë të Kongresit dhe tha se parashikon që raporti do të mbëshetet si nga demokratët ashtu edhe republikanët në Kongres.

“Qeveria e Fedaratës Ruse sot është e angazhuar në sulme të vazhdueshme kundër institucioneve demokratike, vlerave universale dhe shtetit ligjor brenda dhe jashtë vendit. Presidenti Vladimir Putin i orkestron këto sulme me një arsenal asimetrik, sulme kibernetike, dizinformim, mbështetje për grupe politike ekstreme, përdorimin si armë të burimeve të energjisë, krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe agresion ushtarak”, tha sot Kardin duke e prezantuar raportin në Fondin Gjerman Marshall në Uashington.

Bazuar në hulumtime dhe shkëmbime informacioni disamujore me qeveri të huaja që janë vënë në shënjestër nga Kremlini, raporti prej 206 faqesh, dokumenton me hollësi gamën e gjerë të metodave që Rusia ka përdorur përtej kufijve të tij.

“Arsenali asimetrik” i Putinit përfshin që nga “kombinimi vdekjeprurës i sulmeve konvencionale ushtarake, vrasjet, fushatat e dezinformimit dhe sulmet kibernetike” në Ukrainë e deri tek përpjekjet për grusht shteti në Mal të Zi, dezinformimi dhe sulmet kibernetike në Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe më tej, sipas raportit.

Dokumenti detajon gjithashtu akuzat për vite shtypjeje dhe dhune brenda Rusisë drejtuar ndaj atyre që mendohet të jenë kundërshtarë dhe kritikë të Putinit. Udhëheqësi rus, thuhet në raport “akumuloi dhe konsolidoi pushtetin duke përdorur shantazhin, frikën nga terrorizmi dhe lufta” dhe “kombinimin e avanturizmit dhe agresionit ushtarak me propagandë dhe shtypje politike brenda vendit për të bindur një audience vendase se po i kthen madhështinë Rusisë”.

“Ky nuk është një raport për ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016. Është një raport për mënyrën se si funksionon Rusia në botë”, tha një nga anëtarët e personelit që ndihmoi në përgatitjen e dokumentit, duke shtuar se raporti është i pari nga një entitet qeveritar amerikan që paraqet “përmasat dhe synimin” e kërcënimit rus.

Pa kuptuar plotësisht këtë kërcënim, tha ai, “nuk mund ta parandalosh në të ardhmen”.

Raporti detajon hapat që kanë marrë vendet evropiane për të luftuar ndikimin rus, si individualisht ashtu edhe si anëtarë të organizatave si NATO dhe Bashkimi Evropian. Ai arrin në përfundimin se Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në këtë drejtim.

“Presidenti Tramp ka qenë neglizhent në njohjen dhe përgjigjen ndaj këtij kërcënimi ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara që paraqet ndërhyrja e Putinit, thuhet në raport. Presidenti duhet të deklarojë menjëherë se është politikë e Shteteve të Bashkuara që të luftojë dhe frenojë të gjitha format e kërcënimeve hibride të Kremlinit kundër Shteteve të Bashkuara dhe në gjithë botën…Presidenti duhet gjithashtu t’i paraqesë kongresit një strategji kombëtare gjithëpërfshirëse për t’u bërë ballë këtyre rreziqeve serioze të sigurisë”.

Por disa ditë më parë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, HR Mekmaster tha se Presidenti Tramp e ka pranuar hapur që Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje dhe foli për rrezikun e synimeve ruse, përfshirë rolin në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi.

Mekmaster tha se Shtetet e Bashkuara duhet të gjejnë një mënyrë për t’i bërë ballë kësaj strategjie të sofistikuar që ai e quajti një “kërcënim të ri” që Rusia e ka perfeksionuar në shumë drejtime.

“Bëhet fjalë për përdorimin e dezinformimit dhe propagandës dhe instrumenteve të medias sociale për të polarizuar shoqëritë dhe për t’i vënë komunitete të ndryshme kundër njëri-tjetrit, për të dobësuar vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre”, tha ai.

Raporti rekomandon ngritjen e një grupi pune me pjesëmarrjen e anëtarëve nga agjenci të ndryshme qeveritare për t’i bërë ballë ndikimit rus.

Raportet e përpiluara nga opozita janë të zakonshme në Kongres. Ashtu si raporte të tjera të ngjashme, edhe ky i fundit ishte përgatitur për të gjithë Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë, të udhëhequr nga republikanët.

“Ne mendojmë se shumë nga rekomandimet dhe përfundimet e raportit, do të mbështeten në baza dypartiake”, tha një anëtar i personelit të komisionit.

Presidenti Putin ka hedhur poshtë çdo sugjerim për ndërhyrje dhe vitin e kaluar preidenti Trump duket se e mbështeti qëndrimin e tij, të paktën përsa u takon zgjedhjeve të 2016-ës në Shtetet e Bashkuara.

“Ai tha se nuk ndërhyri. E pyeta përsëri. Sa herë mund të bësh të njëjtën pyetje?, u tha Tramp gazetarëve pas një takimi me udhëheqësin rus në Vietnam në nëntor. Sa herë që jemi takuar më ka thënë ‘nuk e kam bërë’. Dhe unë besoj, me të vërtetë besoj që më thotë të vërtetën”.

Republikanë me peshë janë bashkuar me demokratët në kritikat e ashpra ndaj komenteve të Trampit.

Senatori republikan nga Arizona tha në një deklaratë se është naive të besohet se Vlladimir Putini mbron interesat e Amerikës, dhe se ky lloj të menduari e vë sigurinë tonë kombëtare në rrezik.

Strategjia për sigurinë kombëtare e Shtëpisë së Bardhë e paraqet Rusinë si një rivale të rrezikshme që do të dobësojë ndikimin global të Amerikës, duke përdorur masa sabotuese për të “minuar legjitimitetin e demokracive”.

Vetë Presidenti Tramp ka mohuar të ketë pasur lidhje me Rusinë për ndikimin në zgjedhje dhe ka folur në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Kremlinin dhe Presidentin Vladimir Putin.

Disa komisione të kongresit po bëjnë hetime dypartiake të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016. Ndërkohë, ligjvënësit nga dy partitë politike kanë folur për këtë çështje.

“Ajo që konfirmoj unë është se shërbimi rus i zbulimit është i vendosur, i zgjuar. Dhe rekomandoj që çdo fushatë dhe çdo zyrtar zgjedhjesh ta marrë një gjë të tillë seriozisht”, tha kryetari i Komisionit të Zbulimit të Senatit Riçard Bur në tetor.

Ndërsa demokrati kryesor i këtij komisioni Mark Uarner tha se ndërhyrjet ruse nuk përfunduan në ditën e zgjedhjeve, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin një rol më agresiv në shkallë qeverie për të luftuar ndërhyrjet ruse.

Për të hartuar një strategji gjithëpërfshirëse, zyrtarët demokratë të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë rekomanduan analizimin e veprimeve Ruse në Evropë dhe gjetiu.