Për shekuj, marinarë ambiciozë tentonin të përshkonin rrethin Arktik duke u përballur shpesh herë me zhgënjim, apo edhe me vdekjen.

Por, pakësimi i akujve dhe moti më i moderuar i kanë bërë udhëtimet në ujërat polarë më shumë një pushim, sesa një eksplorim.

Zona e mbuluar nga akulli në detin Arktik, në dhjetor ishte 420.900 milje katror më e vogël, krahasuar me atë të viteve 1981-2010.

Vendet nordike dhe Groenlanda kryesojnë për sa i takon turizmit në Arktik. Në vitin 1990, vetëm afro 8.000 pasagjerë anijesh “cruise” kishin kaluar pranë Islandës. Deri në vitin 2016, një çerek milioni njerëz vizitonin vendin çdo vit.

Edhe pjesa ruse e Arktikut ka regjistruar një rritje prej 20 përqindësh të numrit të vizitorëve vitin e kaluar, me turistët kinezë që përbëjnë grupin më të madh. Por, ekspertët paralajmërojnë se trafiku në rritje rrit edhe mundësitë e një katastrofe, si për shembull një derdhje nafte në det, që mund të dëmtonte ambientin e kristaltë polar.

Arktiku është i ekspozuar ndaj kushteve të ashpra dhe të ndryshueshme të motit, gjë që e komplikon udhëtimin dhe rrezikon pasagjerët. Lartësia e madhe po ashtu pamundëson funksionimin e sistemeve të komunikimit dhe lundrimit detar.

Nëse do të kishte një rrjedhje nafte, një përplasje apo një defekt në motorë, largësia e rajonit e bën reagimin e grupeve të emergjencës thuajse të pamundur. Dikur, në Arktik guxonin të shkelnin vetëm anije të vogla eksplorimi, por tani, turistët presin që në bordin e anijeve gjigante të përjetojnë eksperienca të klasit të parë, me meny elegante, dhoma komode dhe aktivitete shtesë.

Në vitin 2016, “Crystal Cruises”, me kroçierën e saj 13-katëshe “Serenity” përshkoi trajektoren veriperëndimore. Përveç 600 pjesëtarëve të ekuipazhit, ajo mbante edhe 900 pasagjerë që darkonin në restorantet e saj luksoze, e vëzhgonin akullnajat nga veranda private.

Që nga ai udhëtim përurues, të tjera agjenci kanë ndjekur shembullin e saj, me udhëtimin turistik që zgjat deri në 24 ditë, “all inclusive”, dhe që kushton rreth 30 mijë dollarë.