Sot pasdite në Veles u mbajtën zgjedhjet në degën e OH “El Hilal” në Veles. Duke e hapur mbledhjen, kryetari deritanishëm Maksut Bakiu foli edhe për punën dhe aktivitetin e deritanishëm të degës në këtë qytet.
Kryetar i ri u zgjodh Remzi Shemsedini nga fshati Kllukovec, zgjedhja e të cilit unanimisht u përkrah nga të gjithë të pranishmit. Bashkë me zgjedhjen e kryetarit të ri u bë edhe konstituimi i përbërjes së re të Këshillit Drejtues të degës, i cili do të numërojë nëntë anëtarë ku do të përfshihen perveç qytetit edhe fshatrat përreth.
Në mbledhjen zgjedhore në Veles mori pjesë edhe Behixhudin Shehapi, kryetar i “El Hilal”-it si dhe Ali Sadiku e Irfan Isaku nga Komisioni zgjedhor qendror. Duke e përshëndetur këtë tubim, kryetari Shehapi e falënderoi kryetarin e deritanishëm Maksut Bakiu, i cili për dy mandate ruajti dhe kultivoi ndjenjën e humanitetit në këtë rajon duke implementuar me sukses projektet programore të “El Hilal”-it.
Kryetari Shehapi më tej theksoi se është i bindur se edhe kjo përbërje e re me kryetarin e ri Remzi Shemsedini, i cili rrjedh nga një familje fisnike dhe patriotike, do ta çojnë në progres “El Hilal”-in në Veles.