Qeveria e Kosovës, deri të premten asnjë fjalë nuk e ka thënë lidhur me rrahjen, që dy zyrtarë të lartë të policisë ja kishin bërë në publik, drejtorit të Telekomit Agron Mustafa.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media, është pyetur nga gazetarët për këtë dhe ka thënë se nuk është që nuk është interesuar për këtë, por më shumë preferon që të punojë, qoftë edhe në këtë rast se sa të dalë vetëm me deklarata ku do të dënonte veprime të tilla.

Ai ka thënë se institucionet përgjegjëse janë duke punuar për të zbardhur rastin se çfarë ka ndodhur tamam aty, dhe me kohë do të informohet edhe opinioni.

Sipas tij, edhe ky rast, tregon se në Kosovë kanë degjeneruar shumë institucione, dhe kjo reflekton gjendjen jo të mirë në vend.

Agron Mustafa, ishte rrahur nga dy policë civilë në rrugë në qendër të Prishtinës, në stilin e gangsterëve.

Në fillim policët kishin paraqitur vetën si viktima, duke thënë se ishin sulmuar nga Mustafa. Por më vonë pas publikimit të videove, ishte vërtetuar krejtësisht e kundërta.