Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy deklaroi ditën e hënë se Madridi do të vazhdojë të ushtrojë qeverisjen e drejtëpërdrejtë të Katalonjës nëse ish- presidenti i shkarkuar Carles Puigdemont do të votohet si President rajonal nga paralamenti katalonas, ndërkohë që ndodhet ende në i arratisur në Bruksel.

“Është absurde që dikush aspiron të bëhet President i Katalonjës, ndërkohë që ndodhet në arrati në Bruksel. Nëse ai do të pozicionohet atëherë ai duhet ta bëjë këtë fizikisht. Dhe nëse ai nuk e bënë këtë atëherë neni 155 do të jetë ende në fuqi deri sa presidenti i ri të marrë postin. Këtë e ka vendosur senati e jo unë”.

Parlamenti i ri katalanas do të mbajë seancën e tij të parë më 17 janar, që eshte edhe hapi i parë në rivendosjen e qeverisjes vendore pasi që Madridi shkarkoi administratën e vjetër rajonale për shpalljen antikushtetuese të pavarësisë.

Sapo të formohet parlamenti, liderët potencialë të qeverisë rajonale do të vendosin për një votëbesim, edhe pse mund të duhen muaj të të tërë për formimin e një qeverie të re.

Partia e Puigdemont mori më shumë vota në zgjedhjet rajonale të 21 dhjetorit mes partive separatiste të cilat së bashku kanë një shumicë të vogël mbi partitë pro-unitetit.

Partia pro-unitetit, Ciudadanos fitoi shumicën e vendeve të Parlamentit, por nuk ka asnjë shans të formojë një qeveri, për shkak të performancës së dobët të partive të tjera pro-unitetit, transmeton oranews.

Ndërkohë, përkrahësit e Puigdemont argumentojnë se votuesit e kanë zgjedhur atë dhe se ai duhet të jetë në gjendje të qeverisë, qoftë edhe nga Brukseli.