Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes një njoftimi për media, thotë se e ka marrë me shqetësim përkeqësimin shëndetësor të ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe thotë gjithashtu se po i përcjellë nga afër zhvillimet rreth gjendjes shëndetësore të tij.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Haradinaj janë me familjen Mustafa për t’i ofruar mbështetjen dhe përkrahjen për shërimin e shpejt të ish-kryeministrit Isa Mustafa. Qeveria e Republikës së Kosovës do të ofrojë gjithë ndihmën institucionale për shërimin e z. Mustafa”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ka disa ditë që ish-kryeministri Mustafa është i shtrirë në një spital privat për t’u kuruar nga gripi sezonal, por që kishte prekur me gjasë më rëndë shëndetin e tij.

Burimet e Gazetës Express kanë thënë se Mustafa do të shtrihet nesër në një spital të Gjermanisë, deri në përmirësimin e gjendjes së tij.

Shkuarjen e Mustafës jashtë vendit për shërim e ka konfirmuar më vonë këshilltari i Mustafës, Besnik Berisha.

Lidhur me këtë çështje, njësoj është deklaruar edhe deputeti i LDK’së, Ismet Beqiri,i cili ka konfirmuar udhëtimin e Mustafës, duke thënë se gjendja e tij shëndetësore nuk është në rrezik, por që duhet të udhëtojë për të kryer disa kontrolle.