Sot deputetët e Kuvendit të Maqedonisë, me 69 vota “për” votuan propozim-ligjin për përdorimin e gjuhëve, pas shtyrjes së disa seancave.

Mirëpo edhe pas miratimit të ligjit në komisionet kuvendore dhe në seancë plenare, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov, mund ta bllokojë dhe ta kthejë përsëri tek deputetët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Presidenti Ivanov që prej propozimit të këtij ligji ka dalur kundër, duke e cilësuar si kundër kushtetues dhe prishës i unitaritet të shtetit.

Ai në fjalimin e tij vjetor para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë tha se propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve vë në pikëpyetje interesat e përhershme të Maqedonisë dhe popullit maqedonas.

Nëse edhe për herën e dytë në Kuvend deputetët miratojnë ligjin, atëherë Ivanov nuk mund ta refuzojë dhe është i detyruar ta pranojë.

Në lidhje me këtë është deklaruar edhe deputeti i BDI-së, Artan Grubi, i cili ftoi Ivanovin që ta nënshkruajë ligjin dhe të pranojë realizimin e Marrëveshjes së Ohrit, pasi sipas Grubit, ligji për gjuhët është pjesë e marrëveshjes.

Përndryshe, në seancën e sotme në Kuvendin e Maqedonisë u emëruan edhe gjykatësit kushtetues, Darko Kostadinovski dhe Osman Kadriu.