Në ishujt grekë Lezbos, Samos dhe Hios, që ndodhen afër bregdetit turk, gjatë vitit 2017 kanë mbërritur 24.970 refugjatë dhe emigrantë.

Më shumë se gjysma e tyre ose 12.506 persona, nga Turqia kanë ardhur në Lezbos, i cili njëherit është edhe ishulli më i goditur nga kriza e refugjatëve viteve të kaluara.

Sipas të dhënave zyrtare të autoriteteve greke, vitin e kaluar në tre ishujt më shumë mbërritje ka pasur në shtator (3519 persona) dhe tetor (3478), ndërsa më pak në shkurt (699).

Natën e Vitit të Ri 173 persona, midis të cilëve edhe gra dhe fëmijë, e kanë kaluar në tre varka dhe shkurt pas mesnatës kanë mbërritur në ishujt Lezbos dhe Samos.

Dje, 30 minuta pas mesnate, 52 refugjatë dhe emigrantë me varkë plastike kanë mbërritur në Lezbos, ndërsa një orë më vonë në të njëjtin vend ka mbërritur edhe një varkë me 83 persona.

Në të njëjtën kohë, një anije e FRONTEKS-it ka shpëtuar 38 refugjatë dhe emigrantë në lindje të ishullit Samos, të cilët me varkë nga Turqia janë nisur drejt Greqisë.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina, të gjithë 173 personat janë dërguar në qendra për pranim dhe regjistrim të refugjatëve në dy ishujt