Për dënime për gabime në komunikacion, arka e Maqedonisë nga qytetarët për 5 vjet ka mbledhur 16.5 milionë euro. Sipas kësaj shume, për çdo vjet mesatarisht qytetarët e Maqedonisë kanë paguar dënime për gabime në komunikacion nga 3.3 milionë euro, njofton Portalb.mk. Në bazë të të dhënave  zyrtare, mund të vihet në përfundim se gjatë kohës  së krizës politike në dy vitet e fundit, dënimet për gabime në komunikacion janë dyfish më të vogla në krahasim me vitet e mëparshme.

Policia më së shumti ka dënuar në vitet 2014-2015, ndërkaq më së paku në vitet 2016-2017 kur kishte krizë politike në vend dhe ishte në funksion Qeveria Teknike.

Kështu që, në vitin 2014, shteti nga qytetarët ka mbledhur 4.5 milionë euro pre dënimeve të komunikacionit. Përafërsisht aq para, gjegjësisht 4.1 milion euro janë mbledhur në vitin 2015, kur në Maqedoni filloi kriza me publikimin e “bombave” apo bisedave të përgjuara.

Në vitin 2016 janë mbledhur thuajse dyfish para më pak nga dënimet e komunikacionit, gjegjësisht 2.4 milionë euro. Përafërsisht shumë e njëjtë është mbledhur edhe në vitin 2017, gjegjësisht 2.5 milionë euro, ndërkaq në vitin 2013 janë mbledhur 3 milionë euro.