Apple po përballet me shumë padi civile në grup pas konfirmimit se ka ngadalësuar iPhone-t e vjetër teksa bateritë e tyre degradojnë.

Një nga paditë e depozituara nga Violetta Mailyan në Kaliforni kërkon dëmshpërblime me vlerë 999 miliardë dollarë, me argumentin se zotëruesit e iPhone u detyruan të blinin telefonë të rinj pasi të vjetrit u ngadalësuan qëllimisht.

Padia thuajse 1 trilion dollarë thotë edhe se Apple mund të kishte qenë transparente për faktin që i ngadalëson iPhone-t, duke iu lejuar konsumatorëve të zgjidhnin problemet e performancës duke zëvendësuar bateritë e telefonëve në vend që të blinin të rinj.

Apple e konfirmoi ngadalësimin e celularëve të vjetër vetëm pas një serie raportimesh që zbuluan aktin e qëllimshëm.

Sipas Reuters, janë bërë padi në Kaliforni, New York e Illinois, ndërkohë që të hënën u bë edhe një në Izrael. Një nga rastet në SHBA përfaqësohet nga Jeffrey Fazio, avokati që fitoi një marrëveshje me vblerë 53 milionë dollarë kundër Apple në çështjen për pretendimet e garancisë së iPhonëve.

Padia pretendon se “paaftësia e baterisë për t’iu përgjigjur kërkesave të krijuara nga shpejtësia e procesorëve” është një defekt i baterive dhe Fazio thotë se Apple e fshehu qëllimisht defektin.

Paditë, përfshirë edhe atë 999 miliardë dollarë, kërkojnë që të gjitha kompensim financiar si dhe rimbursime në disa raste. Disa avokatë po u kërkojnë gjykatave të ndalojnë Apple që të ulë shpejtësinë në të ardhmen, ose t’i kërkojë kompanisë që të njoftojë konsumatorët kur ta bëjë.