Zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot realizoi takim me ministrin e ri të Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Në takim u hapën çështjet për sfidat në sistemin shëndetësor, reformat e parapara të Ministrit të ri, si dhe mundësia për bashkëpunim mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane, në veçanti në pjesën e ndihmës së huaj të parapara për sistemin e shëndetësisë.

“Si ish-ministër i Shëndetësisë, por edhe si mjek, jam i vetëdijshëm për sfidat e mëdha para të cilave ndodhet sistemi ynë i shëndetësisë, për menaxhimin e së cilës keni mbështetjen time të plotë si dhe të Sekretariatit për Çështje Evropiane, për t’u përballur me reformat e nevojshme”, theksoi Osmani në takim.

Ai shtoi se është i njoftuar me faktin se reformat në shëndetësi janë të vështira dhe të kushtueshme, dhe se sfida kryesore është sigurim i mbështetjes financiare për zbatimin e të cilave, siç theksoi Osmani, Ministria e Shëndetësisë do ta ketë mbështetjen e plotë të Sekretariatit për Çështje Evropiane, si dhe mbështetjen e tij personale si koordinator Nacional i ndihmës së huaj në Republikën e Maqedonisë.

“Afrimi drejt Bashkimit Evropian, nuk do të thotë vetëm zbatim i reformave të dhembshme, por edhe përfitime të afrimit drejt vlerave dhe standardeve evropiane. Progresi në afrimin drejt BE-së do, do të thotë edhe progres në realizimin e shëndetit evropian, standardeve evropiane në shëndetësi, që paraqet një ndër perspektivat më të rëndësishme evropiane të Maqedonisë”, tha Osmani, duke shtuar se është optimist për bashkëpunimin me Ministrin e ri të Shëndetësisë Filipçe, për absorbimin e suksesshëm të të gjitha ndihmave të huaja në dispozicion për shëndetësi në Republikën e Maqedonisë.