Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Sadiku, është pothuajse i larguar nga skuadra e Legias së Varshavës për shkak se këta të fundit kanë vendosur të ofrojnë në ekip një tjetër sulmues, Eduardo Da Silva.

Braziliani ka një karrierë të pasur me disa klube të mëdha, siç janë Arsenali dhe Shakhtar Donetsk. 34-vjeçari pritet të kryejë vizitat mjekësore te kampionët e Polonisë.

Armando Sadiku nuk ka gjetur mjaftueshëm hapësira në klubin polak në këtë fazë të parë, teksa ka luajtur gjithmonë si zëvendësues duke shënuar dhe 2 gola.

I gjendur në këtë situatë, sulmuesi i Kombëtares kuqezi do të kërkojë largimin që në merkaton e janarit, ndërsa për elbasanlliun kanë shfaqur interes klube nga Superliga e Turqisë dhe ajo zviceriane.

26-vjeçari kuqezi u transferua te Legia në merkaton e verës që lamë pas nga zvicerianët e Zurich, por Sadiku pas nisjes si titullar në fillim të sezonit më pas e pa veten në stol, pasi humbi konkurencën me Niazgoda.