Oliver Ivanoviq e kishte shfaqur frikën e tij kohëve të fundit se mund të ndodhte diçka në Veri të Mitrovicës.

Madje ai kishte thënë se nuk ka frikë nga shqiptarët, por nga serbët. Këtë e kishte thënë në fushatën e fundit zgjedhore të zgjedhjeve lokale.

“Po, situata ka ndryshuar për të keq. Ndjenja e përkeqësimit, e frikës tek populli është e pabesueshme. Nga 100 njerëz me të cilët kam biseduar në javët e para në liri, nuk ka një që në fjalët e para nuk e ka shtruar çështjen e sigurisë. Të kuptohemi menjëherë – ata njerëz nuk frikësohen nga shqiptarët po nga serbët, nga kabadainj dhe kriminelë lokalë që ngasin ‘xhipa’ pa targa. Droga shitet në çdo cep, çdo prind i frikësohet kësaj. Ka pasur edhe në të kaluarën këso gjërash, por jo në këtë masë dhe ata njerëz nuk kanë vepruar me kaq arrogancë sa tani. Policia i sheh të gjitha këto dhe nuk reagon, dhe kështu qytetarët ndjehen të pambrojtur, edhe pse në Policinë e Kosovës në veri të gjithë janë njerëz tanë, serbë. Disa prej tyre janë policë me përvojë që më parë kanë punuar për MUP-in e Serbisë, por as ata nuk po bëjnë gjë”, kishte deklaruar Ivanoviq për revistën “Vreme” të Beogradit më 28 shtator të vitit të kaluar.