Emisioni “BOOM” solli denoncimin e një zonje nga lagjia “Gjocaj” e Peqinit, të cilës nuk i njihen vitet e punës për shkak të ngatërrimit të emrit në dokumentat zyrtarë.

E moshuara Zade Bashaliu, nënë e 5 fëmijëve, thotë se kur ka dorëzuar dokumentat e pensionit është njohur me një fakt të çuditshëm.

18 vite pune që i ka pasur Koperativën bujqësore  i rezultojnë me emrin Sabri, ndërsa 4 vite te tjera me emrin Sabire.

Pra janë plot 22 vjet punë që zonjës Zade Bashaliu nuk i njihen pasi i kanë ngatërruar emrin, duke bërë që ajo prej 7 vitesh edhe pse ka mbushur moshën, të mos marrë pension.

Bashaliu i është drejtuar Komisionit Qendror te Ankimimit ne Tirane dhe ky institucion e ka drejtuar ne Gjykate për të gjetur zgjidhje.

Denoncimi: “Kam punuar 22 vjet dhe nga femër të bëhem mashkull kjo është absurde. Kam lindur 5 fëmijë, si më kthyen në mashkull. Emri im është Zade Hekuran Bashaliu, ma kthyen në Sabri dhe më pas Sabire.Të lindësh 5 fëmijë dhe të kthehesh në burrë kjo është e paparë”.

Gazetarja e “BOOM” bashkë me të moshuarën pyetën edhe fqinjët në lagje, nëse Zaden e njohin si burrë apo grua. Fqinjët thone se e njohin për grua por ia kanë ndryshuar emrin.

Zade Bashaliu: Unë vetëm po të jem burrë natën dhe ditën të kthehem në grua. Nuk e di se kujt do ia marr borxh meqë jam burrë.

BOOM u drejtua në njësinë Administrative Gjocaj për të pare tek regjistrat themeltarë sa persona janë me këtë emër, atësi dhe mbiemër.

Punonjësja konfirmon se me këtë emër është rregjistruar vetëm zonja Zade Hekuran Bashaliu, ndërsa 2 emrat e tjerë Sabri dhe Sabire nuk ekzistojnë.

Emisioni BOOM pyeti dhe një avokat se sa kushton hapja e nje procesi gjyqësor për emrin.

Avokati thote se këto procese zgjasin në kohë dhe ka raste që pensionisti e fillon gjyqin dhe nuk e mbaron asnjëherë, sepse keto gjyqe zgjasin shumë dhe shpesh të moshuarit ndërrojnë jetë pa gëzuar pensionin e pleqërisë.

Kostoja për gjyqin

-600 mijë lekë do avokati i çështjes

-30 mijë lekë hapja e padisë

-1 milion lekë eksperti që cakton gjykata

Praktikisht një shumë relativisht e madhe për tu përballuar nga një pensionist.