Janë dy skuadrat që kanë shkruar historinë e futbollit francez dhe atij europian dhe sa herë që vihen përballë njëra-tjetrës, fitorja është e vetmja mundësi…pavarësisht si arrihet ajo.

Rivaliteti mes Marsejës dhe PSG shkon përtej fushës së blertë dhe shembulli tipik që e ilustron këtë është përplasja e 16 tetorit e 2005-s.

Ishin javët e para të kampionatit. PSG kryesonte renditjen, ndërsa Marseja ndodhej në mes të tabelës. Kalendari e kishte vendosur sfidën e parë në Velodrome, ku atmosfera ishte e ndezur.

Për shumë tifozë të PSG-së, rezultati i takimit nuk u vendos nga ajo se çfarë u luajt në fushë, por çfarë u luajt në dhomat e zhveshjes. Lojtarët parizienë deklaruan pas takimit se në dhomën e tyre të zhveshjes ishte hedhur amoniak.

“Mezi merrnim frymë dhe nisëm të lotonim nga sytë. U ndërruam në korridor”, kujton Modeste M’Bami, në atë kohë lojtar i PSG-së.

Por edhe në korridor skuadra mike nuk gjeti qetësi. Këtë herë nuk ishte amoniaku, por aktorja dhe modelja e famshme franceze, Clara Morgane, e njohur edhe si tifoze e flaktë e Marsejës. Sipas dëshmive të lojtarëve të PSG-së, Clara dhe një mikeshë e saj, të veshura provokuese iu afruan lojtarëve “armiq”.

“Ishim duke u zhveshur për t’u bërë gati për ndeshjen kur u shfaq ajo dhe të gjithë nisëm të pyesnim se çfarë dreqin kërkonte ajo aty?! Humbëm përqendrimin dhe e kishim të qartë pa hyrë ende në fushë se loja nuk do të ishte në favorin tonë. E kishim humbur fare!”, deklaron Christophe Landrin, ish-lojtar i PSG-së dhe protagonist në atë takim.

…dhe sa për informacion, Landrin kishte të drejtë; Marseja fitoi takimin me rezultatin 1-0, duke i dhënë fund serisë prej 9 fitoresh radhazi të PSG-së në përballjet direkte mes tyre.

Image
Image