Perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çështjet e ndërlidhura me Partneritetin lindor të Bashkimit Evropian, kanë qenë një pjesë e temave në mbledhjen e sotme të dytë të Shërbimi evropian për punë të jashtme (EEAS) me drejtorët politikë  të vendeve të Ballkanit Perëndimor (WB6).

Nikoqir i mbledhjes ka qenë sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski, ndërsa Shërbimi evropian i Punëve të Jashtme ka qenë i kryesuar nga zëvendës-sekretari i përgjithshëm i EEAS, Zhan Kristof Berliard.

Në mbledhje, si kumtoi MPJ-ja, është biseduar edhe për politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe për situatën aktuale dhe zhvillimin e ngjarjeve në rajon dhe më gjerë.

Dimovski e përshëndeti përkushtimin gjithpërfshirës të deritanishëm të BE-së në Republikën e Maqedonisë dhe në rajonin më të gjerë, duke nënvizuar pritjen që ky përkushtim të kurorëzohet me procesin përfundimtar të integrimit të Ballkanit në Union.

Ai i riafirmoi hapat konkret të Qeverisë së Maqedonisë në vitin e kaluar në planin politik të brendshëm dhe të jashtëm dhe informoi për aktivitetet vijuese në vitin 2018 për integrimin e vendit në BE.

Dimovski e riafirmoi edhe angazhimin për harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe interesin për integrimin e sektorit energjetik të Maqedonisë në tregun rajonal dhe evropian.