Pasi u shkarkua nga Milani, Vincenzo Montella gjeti punë brenda muajit te klubi spanjoll i Sevillas, ku mori vendin e argjentinasit Eduardo Berrizo.

Por duket se aventura në Gadishullin Iberik nuk po shkon aspak mirë për italianin.

Nën drejtimin e Montellës, Sevilla ka humbur dy ndeshjet e kampionatit, ndërsa ka arritur të fitojë vetëm në Kupën e Mbretit.

Të dielën ishte Diego Armando Maradona që sulmonte drejtuesit e Sevillas dhe i akuzonte se kishin shkarkuar Berrizon për t’i bërë vend një trajneri që dështoi te Milani, por humbja e djeshme ndaj Alavesit shkaktoi të tjera pasoja.

Tifozët andaluzianë kishin shkuar në një numër të madh në qendrën stërvitore, ku ndonëse ishte njoftuar stërvitje me dyer të mbyllura, kërkuan një përballje me futbollistët e skuadrës.

Në përballje mori pjesë edhe Montella, që u kontestua ashpër nga tifozët, të cilët duket se kanë filluar të humbasin durimin me të.

Në mesjavë Sevilla do të përballet me Atletico Madridin për Kupën e Spanjës, në një sfidë ku Montellës nuk i lejohen gabimet, nëse do të shmangë një tjetër shkarkim në harkun e vetëm 3 muajve.