Një foto aktuale e Michael Schumacher është shkrepur fshehurazi nga një mik i tij, i cili u përpoq ta shiste atë për 1 milionë Paund. Fotografia është bërë në shtëpinë e Schumacher në Gjenevë të Zvicrës, aty ky kampioni i Formula 1 po merr mjekim prej 4 vitesh pasi pësoi aksidentin në ski.

Kjo foto ilegale ka bërë që prokurorët gjermanë të nisin një hetim për shkelje të privatësisë. Prokurorët kanë konfirmuar se një “person i panjohur” bëri një foto “sekrete” të gjendjes në të cilën ndodhet Schumacher dhe u përpoq ta shiste për “shuma të mëdha parash”.

Lajmi është bërë i ditur nga televizioni gjerman RTL. Në shtëpinë e Michael Schumacher në Zvicër ku ai po merr trajtim mjekësor, kanë shkuar shumë miq për vizitë, por asnjë foto e gjendjes së tij nuk është bërë publike. Kjo për shkak se bashkëshortja e 7 herë kampionit të botës në Formula 1, ka dashur që të ruajë privatësinë e familjes së saj. Megjithatë, njëri prej miqve që e kishte vizituar në shtëpi, arriti t’i bënte një foto në shtrat Michael Schumacher, të cilën u përpoq ta shiste për 1 milionë Paund. Nuk dihet se si ka ndodhur kjo gjë, por tashmë hetimet kanë nisur. Pavarësisht informacionit, kjo foto nuk ka arritur të bëhet publike në media.

Michael Schumacher pësoi një aksident të rëndë në ski më 29 Dhjetor 2013 dhe që prej shtatorit të 2014 po qëndron në shtëpinë e tij në Gjenevë ku po merr trajtim të vazhdueshëm mjekësor, që kushton 115 mijë Paund në javë. Javën e kaluar, revista “Motosport” kontaktoi me bashkëshorten e tij, por ajo sërish refuzoi të fliste.

“Shëndeti i Schumacher nuk është një çështje publike dhe do të vazhdojmë të mos bëjmë asnjë koment në lidhje me të. Duhet të mbrojmë jetën e tij private”, tha ajo.

Nëpër media të ndryshme botërore ka pasur shpeshherë spekulime në lidhje me shëndetin e Schumacher, duke qenë se të afërmit e tij nuk jepnin asnjë deklaratë publike. Para 1 viti, familja e Michael Schumacher paditi një gazetë gjermane që kishte shkruar se kampioni i botës në F1 mund të ecte. Avokati i familjes pohoi në atë kohë se pretendimi i gazetës nuk është i vërtetë, pasi Schumacher nuk mund të lëvizë. /tvklan.al