Shteti i Kosovës nisi edhe vitin 2018 pa arritjen e shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Shndërrimi i FSK-së nuk u bë pavarësisht deklarimeve nga të parët e vendit se kjo gjë do të mund të bëhej në vitin 2017 dhe se ishte koha e fundit për t’u arritur një gjë e tillë.

Lidhur me këtë së fundi është deklaruar edhe i pari i Nismës për Kosovën si dhe zv/kryeministri i vendit, Fatmir Limaj.

Sipas Limajt, Kosova tashmë e ka Ushtrinë dhe se pritet që të bëhet ndryshimi i emrit dhe rritja e kapaciteteve dhe rimandatimi në fusha të caktuara të FSK-së.

“Jemi shtet sovran askujt dhe askush nuk mund ta marrë të drejtën e Kosovës për shtet sovran, çdo shtet sovran e ka ushtrinë e vet dhe ka institucionet e sigurisë. Ne duam të kontribuojmë në paqe në vend dhe Kosova po kthehet nga një konsumues i sigurisë në një kontributdhënës i një sigurie rajonale dhe përtej saj. Duhet që djemtë dhe vajzat tona të jenë krahë përkrahë me NATO-në dhe fqinjët tanë dhe këto janë hapat që duhet ndërmarrë”, ka thënë Limaj.

Zv/kryeministri Limaj është shprehur i bindur se Ushtria e Kosovës e ka këtë perspektivë dhe të gjithë komunitetet, pra të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të shohin Ushtrinë e ardhshme si siguri dhe si forcë të tyre, që mbron dhe siguron shtetin në mënyrë që të mund të funksionohet lirshëm në realizimin e objektivave tona.

“Unë besoj se kjo rrugë do të gjendet dhe do të jemi bashkë në momentin kur të arrihet shndërrimi i FSK-së”, ka përfunduar Limaj.