Përkundër paralajmërimit, përfaqësues të Lëvizjes Besa edhe sot nuk kanë dorëzuar padi në Gjykatën Administrative lidhur me atë se kush ka të drejtë në këtë Lëvizje, pas shkarkimit të kryetarit Bilall Kasami nga këshilli qendror. Dega e Shkupit e Lëvizjes Besa njoftoi se kanë angazhuar avokatë për përgatitjen e lëndës. Ata shprehen optimist se vendimi i Administratives do të jetë në favor ushtruesit të detyrës kryetar, Nexhbedin Kahremani. Deputeti Fadil Zendeli deklaroi se grupi parlamentar i Besës funksionon i bashkuar.

Mund vetëm të deklaroj se grupi parlamentar i Lëvizjes Besa do të funksionojë unik ashtu edhe siç ka vepruar deri më tash konform programit, statutit dhe politikave që i kemi ndjek deri më tani si Lëvizje Besa, ndërsa çështjet debatet që janë duke u zhvilluar brenda Lëvizjes Besa mbeten çështje që duhet të trajtohen brenda organeve të Lëvizjes Besa dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që grupi parlamentar të involvohet në çështje të tyre. Ne do të vazhdojmë si unik dhe nuk ka asnjëfarë ndryshimi në këtë drejtim – deklaroi Fadil Zendeli, Lëvizja Besa.

Mbështetësit e ushtruesit të detyrës kryetar, Kahremanit thonë të kundërtën. Sipas tyre grupi parlamentar i Besës nuk mund të funksionojë si unik derisa për shkarkimin e Kasamit kanë votuar të ndarë. Kongresi i Lëvizjes Besa është caktuar për më 24 shkurt./alsat