Banorët e Studeniçanit të Shkupit kanë drejtuar ankesa të shumta në adresë të kryetarit të komunës Azem Sadikut lidhur me politikën kadrovike nëpër shkolla, mungesën e ndriçimit publik si dhe shërbimet e transportit publik.

Një stundent nga Studentiçani kërkon nga kryetari Sadiku të angazhohet për shtimin e linjave të autobusit urban.

“Për dallim nga lagja Dracevë, e cila është e banuar me shumicë maqedonase dhe ka autobus çdo 15 minuta, fshati Studenican ka shumë pak. Apeloj që kryetari të interesohet për shtimin e linjave të transportit publik urban”, thotë për Almakos, U.R student nga Studeniçani.

Një i ri i fshatit ankohet se kryetari ka lënë në harresë Qendrën rekreative sportive, ku të rinjtë rekreohen.

“Qendra rekreative sportive nuk ka as reflektor dhe deri atje nuk ka rrugë të asfaltuar”, tha ai.

Qytetarët ankesa kanë edhe lidhur me politikën kadrovike nëpër shkollat e komunës, e cila rrënon arsimin shqip të Karshiakës së Shkupit.

“Ai po e vret arsimin e fëmijëve të Studeniçanit, duke vendosur persona të papërgjegjshëm në poste udhëheqëse”, fajson S.E.

Shqetësim serioz për banorët përbën edhe puna e deponisë Drislla, ku digjen mbetje medicinale.

“Deponia Drislla”  çdo ditë po na helmon të gjithëve, sidomos banoret e Batincës dhe askujt nuk I intereson”, ankohet R.R nga Batinca.

Kryetari Azem Sadiku, nuk ka dashur t’i komentojë të gjitha këto shqetësime të qytetarëve të komunës së Studeniçanit.