Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, i është përgjigjur akuzave të Edi Ramës, sipas të cilit protesta e opozitës po pengon integrimin e Shqipërisë në BE.

Duke folur për “Vizion Plus”, Kryemadhi u shpreh se reforma në Drejtësi dhe integrimi i Shqipërisë në BE është penguar vetëm nga një njeri dhe ai quhet: Edi Rama.

“Reforma në Drejtësi nuk është penguar asnjë sekondë, as nga LSI as nga PD.  Është penguar vetëm nga një njeri që është Edi Rama. Është mëse e qartë, shqiptarët tashmë e dinë shumë mirë e kanë parë shumë mire, e kanë dëgjuar me veshë, e kanë parë me sy sesi Edi Rama po i  jep një drejtim komplet tjetër në të kundërt Shqipërisë, pra jo në integrimin europian”, tha Kryemadhi.

Në vijim, kryetarja e LSI-së u shpreh se data 27 janar do të jetë vetëm fillimi i përfshirjes së Shqipërisë nga protestat në çdo cep, në çdo rrugë, në çdo fshat, në çdo pjesë të territorit shqiptar.

“Sot nuk është koha për të bërë politikë, është koha për t’u ndarë je pro Ramës apo kundër tij.  Je pro  grupit të strukturuar kriminal që drejtohet nga Rama apo kundër tij. Unë mendoj se në qoftë se ne do fillojmë të diskutojmë për llokmat e një qeverie imagjinare atëherë është kohë e humbur”, tha Kryemadhi.

Referuar reformës në drejtësi, Kryetarja e LSI tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mund të mos funksionojnë pasi nevojitet që Parlamenti të miratojë nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.  Drejtuesja e LSI, kërkon konsensus politik për votimin e këtyre neneve.

“Nuk ka ligj mbi të cilin mund të funksionojnë sepse janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, kjo është shumë e rëndësishme sepse mund të ngrihet një KLP dhe një KLGJ por kjo nuk funksionon.

Nëse ndryshimet kushtetuese nuk bëhen me shumicë votash pra me 94 vota ose mbi të gjitha me konsensus.

Përderisa ne kemi miratuar ndryshimet kushtetuese dhe Reformën në Drejtësi me konsensus me 140 vota, këto ndryshime të cilat janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese duhet të kalojnë përsëri me konsensus dhe kjo është mëse e qartë.

Në qoftë se Edi Rama do ti kalojë prapë me 36 vota siç kaloi Prokurorin e Përgjithshëm atëherë është çështje e tij d.m.th është një Reformë që nuk do të njihet nga asnjëri”, tha ajo.