Ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias deklaron se Greqia është e vendosur për të zgjidhur sa më shpejt problemet e mbartura me fqinjët veriorë.

Shefi i diplomacisë bisedoi për fqinjët me kryeministrin Aleksis Tsipras dhe aleatin e tij në koalicion, Panos Kamenos.

“Viti 2018 do të jetë një vit ku do të gjejnë zgjidhje probleme me vendet fqinje, të cilat kanë qenë në batak për dekada të tëra. Diskutuam problemet me Shqipërinë, për të cilat ditët e fundit janë bërë hapa pozitive dhe të mira, si dhe problemin e emrit e Shkupit”, tha Kotzias.

Nga ana e tij, partneri i koalicionit qeveritar, Panos Kamenos, i cili pak ditë më parë provokoi një krizë qeveritare, mbas publikimit të qëndrimit të partisë së tij se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje për emrin e fqinjit verior, i cili do të përmbajë emrin “Maqedoni”, shprehu besimin e tij në platformën negociatore të Ministrit të Jashtëm, lidhur me bisedimet me fqinjët veriorë, Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Ai tha se është pro dialogut dhe zgjidhjes përfundimtare të problemeve me fqinjët. Ndërsa raportet me Shqipërinë janë ngrohur pas takimit të Kretës mes dy ministrave të Jashtëm dhe zgjidhjes së çështjes të varrezave greke, në lidhje me Shkupin, optimizmi i Athinës e ka bazën te vendimi i kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, për të hequr dorë nga qëndrimi i ashpër i Shkupit lidhur me emërtimin e ish republikës Jugosllave të Maqedonisë.