Në një intervistë të dhënë për mediet, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, teksa ka vlerësuar marrëdhëniet me Shqipërinë është shprehur se ligji i luftës midis dy vendeve duhet të hiqet, pasi është i pakuptimtë, ndërsa i cilëson të frytshme takimet me homologun Bushati dhe vendimin për dhënien e shtetësisë për Janullatos.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë përmirësuar, mos dyshoni për këtë. Ligji i luftës duhet hequr, pasi është i pakuptimtë” deklaroi Nikos Kotzias.

Pak ditë më parë në konferencën e fundvitit kryeministri Edi Rama deklaroi: “Nuk ka as sekrete, as konspiracione as gjëra për të fshehur por janë negociata reale me grupe ekspertësh, negociatë intensive. Raundi tjetër është së shpejti në janar në Shqipëri, po negociohet për të mbyllur kapituj që nuk imagjinohet se mund të mbylleshin ndonjëherë që nga ligji i luftës. Sa i takon vendimit të qeverisë për ndërtimin e varrezave greke, Rama tha se në këtë drejtim nuk ka asgjë të re, thjesht zhbllokim i një procesi të dakordësuar nga qeveria e mëparshme”

Në janar pritet të vijojnë negociatat mes ministrit të jashtëm grek dhe ministrit të jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.