Parlamenti izraelit sot miratoi ligj me të cilin parashikohet se cilido propozim me të cilin cilado pjesë e qytetit të shenjtë Jerusalemit do t’i lihet një shteti të huaj, do të duhet të aprovohet me shumicën e dy të tretës.

Propozimi është miratuar me 64 vota pro dhe 52 kundër në Kneset, në të cilin ka gjithsej 120 deputetë.

Miratimi i ligjit vjen shpejt pas vendimit të presidentit amerikan Donald Tramp ta njohë Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit dhe ta zhvendosë Ambasadën amerikane atje, në të cilin  pjesa më e madhe e shteteve myslimane u kundërpërgjigjën me paralajmërim se do të hapin ambasada në shtetin  palestinez në pjesën lindore të qytetit.

Kjo pjesë e Jerusalemit kryesisht është e populluar me palestinezë, ndërsa atje ndodhen edhe vendet më të rëndësishme të shenjta, siç është Kodra e tempullit të mbretit Solomon, gjegjësisht xhamia Al Aksa.

Në negociatat paqësore midis palestinezëve dhe Izraelit, pala palestineze kërkon që t’i takojë pjesa lindore e Jerusalemit dhe të jetë kryeqytet i shtetit të ardhshëm palestinez.

Me ligjin që u miratua në Parlamentin izraelit, dy lagje kryesisht palestineze të cilat ndodhen në pjesët më lindore të qytetit ndahen nga tërësia administrative e Jerusalemit.

Ligji u mbështet para së gjithash nga koalicioni qeveritar i kryesuar nga Partia Konservative Likud të kryeministrit Benjamin Netanjahu. Disa nga deputetët opozitarë akuzuan se me ligj mund të kryhet dëbim i palestinezëve nga Jerusalemi dhe do të zvogëlohet mundësia për marrëveshje paqësore.