I ashtuquajturi “krahu i Shkupit” i Lëvizjes Besa ende nuk ka dorëzuar deri në Regjistrin Qendror kërkesën për ndërrimin e emrit të kryetarit të partisë, nga Bilall Kasami në Nexhbedin Kahremani. Zëdhënësi i kësaj partie Orhan Ramadani, tha se ekipi i avokatëve të angazhuar nga ana e tyre po përgatisin dokumentacionin dhe ditëve në vijim pritet që të njëjtin ta dërgojnë. Nuk dihet nëse dokumentacioni pos firmave të 64 anëtarëve të Këshillit Qendror, posedon edhe vulën e partisë.

“Është një proces që po rrjedh që ne si Lëvizja Besa kemi angazhuar avokat i cili po ndjek procedurën për ndryshimin e emrit të ish kryetarit dhe regjistrimin e deputetit Nexhbedin Kahremani si u.d kryer i Besës në Regjistrin Qendror të partive politike. Ky proces duhet të përfundojë me epilog se cili do i ketë vulat e partisë. Gjykatësi e ka shumë të lehtë të verifikojë përmes firmave të anëtarëve të Këshillit Qendror që janë deponuar për shkarkimin e ish kryetarit. Ne jemi të bindur që do i marrim vulat e partisë sepse i njëjti Këshill Qendror që e emëroi ish kryetarin, e shkarkoi të njëjtin dhe e ka emëruar një tjetër. Ne jemi të bindur që juridikish ne duhet t’i marrim vulat” deklaroi Orhan Ramadani, Zëdhënës i Lëvizjes BESA.