Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se pushimin dimëror në Zvicër e ka paguar me para të tij dhe i kanë kushtuar vetëm 7 mijë euro.

Ndryshe, Insajderi dje ka raportuar se  Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pushuar në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës. Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë. 

Pushimet familjare të Haradinajt kanë zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë holet ka kushtuar një mijë e 50 franga. 

Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga.

Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet, me arsyetimin se “Kryeministri nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”.