Në qytetin e Shkupit ndodhet fabrika “Ohis” e cila gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë ishte prodhuesi më i madh i detergjenteve dhe pesticideve të ndryshme. Tani kjo fabrikë nuk mban më lavdinë e dikurshme, kurse në brendinë e oborrit ka të groposura mbi 15 mijë ton lëndë kimike, mes të cilave edhe “Lindan”, të cilat ndotin ajrin, tokën dhe ujërat nëntokësorë të Shkupit”.

Lindani është një lëndë kimike që është përdorur si insekticid dhe ka qenë i dobishëm në kohën kur është përdorur.

Trajçe Stafillov profesori i kimisë thotë se lindani i fabrikës “Ohis” është nxjerrë jashtë përdorimit në vitet ‘70, dhe e kanë groposur në oborrin e kësaj fabrike në Kisella Vodë. Sot kjo përbën pikën më të nxehtë ekologjike në Maqedoni. Duke qenë se deponia me mbetje kimike nuk është e izoluar mirë, gjatë rreshjeve atmosferike ose erërave, lëndët e groposura ndotin ajrin  dhe ujërat nëntokësore të Shkupit.

“Mendohet se janë rreth 13 deri në 15 mijë ton, në të cilat lindani përbën rreth 10-12 për qind të sasisë totale. Janë lënë në qiell të hapur, dhe më pas për shkak të aromës së keqe që është përhapur në atë pjesë, këto deponi u mbuluan me dhé shtesë, kështu që tani kemi 35-40 mijë ton mbetje të rrezikshme. Analizat e ujërave nëntokësorë dhe tokës përreth, tregojnë se në to ka sasi të madhe të lindanit dhe izomerëve të tjerë”, tha Trajçe Stafillov.

Stafillov thotë se kjo problematike kërkon zgjidhje sa më të shpejtë që në këtë mënyrë në ndërpritet ndotja dhe dëmtimi i shëndetit të qytetarëve të Shkupit.

I financuar nga Fondi Global Ekologjik dhe qeveria e Maqedonisë, në vitin 2015 është miratuar një projekti për të bërë kërkime për zgjidhjet e mundshme për këtë problem ekologjik.

“Me këto kërkime merren mostra nga pika të ndryshme për të cilat mendohet se janë të rëndësishme si tregues për shkallën e kontaminimit, dhe në bazë të rezultateve që do të merren, presim të përgatitet dokumentacioni i plotë për shpalljen e konkursit ndërkombëtar për zgjedhjen e teknologjisë sa më adekuate për dekontaminimin e lindanit”, u shpreh Suzana Andonova, koordinadore e projektit.

Finalizimi i këtij projekti, sipas Suzana Andonovës, pritet të bëhet në muajin qershor, që teknologjia për dekontaminim të instalohet afër deponisë. Më pas, procesi i dekontaminimit, sipas koordinatores së projektit, mund të zgjasë nga 5 deri në 8 vite, ku në këto vite do të duhet të dekontaminohen rreth 10 mijë ton nga sasia e përgjithshme e lëndëve kimike të groposura.

Në vitin 2009, lindani është futur në listën e ndotësve organikë konstant (Persistent Organic Pollutants), ndërsa 6 vite më vonë është shpallur si lëndë kancerogjene nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Në Maqedoni përveç “Ohisit” si pika më e nxehtë ekologjike, gjithashtu ekzistojnë edhe 15 pika të tjera në qytetet të ndryshme të vendit, që vazhdimisht ndotin mjedisin tonë jetësor. /tesheshi/