Në një konferencë për media për të folur rreth dënimit me burg me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës, kanë folur deputetet e dënuara Albulena Haxhiu e Donika Kadaj-Bujupi.

Haxhiu tha se deputetët do të përpilojnë një ankesë ndaj këtij dënimi dhe rasti do të shkojë në Gjykatën e Apelit, shkruan Periskopi. 

“Kemi 15 ditë afat që të bëjmë ankesë dhe ne këtë rast do ta dërgojmë në Gjykatën e Apelit”, tha ajo. 

Haxhiu tha se me këtë dënim u dëshmua se në Kosovë nuk dënohen kriminelët e të korruptuarit, por aktivistët e deputetët që e mbrojtën territorin.

“Pëfundimisht edhe sot që nuk dënohen kriminelët e të korruptuarit në Kosovë. Ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër. Sot fatkeqësisht, ky sistem i kapur i drejtësisë po dënon akvisitët dhe deputetët që mbrojtën territorin. Në asnjë prej seancave nuk është dëshmuar që gazi lotsjellës është armë. Kemi një vendim të Gjykatës së Apelit që një qytetar serb është dënuar me 450 euro për hedhje të gazit lotsjellës, edhe pse veprimi ynë ishte politik”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se gjykatësi Beqir Kalludra e ka bishtin e zënë me derë, duke shtuar se qëllimi i tij ishte që të kriminalizohet protesta kundër demarkacionit e asociacionit.

“Ky gjyqtar e ka bishtin e zënë me derë, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Qëllimi ishte që të na shpallin fajtor, që të kriminalizohet protesta kundër demarkacionit e Asociacionit”, tha ajo.