Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori sot pjesë në Orën Letrare “Ora e Gjergjit”, që u mbajt në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Në këtë manifestim që u organizua nën patronatin e kryeministrit, morën pjesë artistë, shkrimtarë dhe personalitete tjera nga fusha e kulturës.

Me këtë rast, para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, tha se Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi, duke e quajtur kryetrim i Arbërisë, që i përket shqiptarëve dhe ballkanasve të tjerë.

“Gjergj Kastrioti ishte dhe vazhdon të mbetët fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përhershëm, por që na u gjendën edhe në ditët e vështira dhe me të cilët jemi edhe sot”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Shoqata kulturore artistike “Mirdita”, kryeministrit Haradinaj në shenjë mirënjohje i ndau stemën e parë të shtetit të Arbrit, flamurin kombëtar shqiptar dhe numrat e plotë të revistës “Mirdita”.

Fjala e plotë e kryeministrit Ramush Haradinaj:

Të dashur shkrimtarë, njerëz të penës,
Të dashur artistë,
Të respektuar bashkëkombës, gjithë prezentë,
Udhëheqës shpirtëror e fetar, shqiptarë kudo që jeni.

Të dashur qytetarë, të dashur shqiptarë, me këtë manifestim po e nisim Vitin Jubilar për Kryetrimin e Arbërisë, që shqiptarëve ua ndjelli guximin, e u zgjoi mendjen për ta fituar lirinë kombëtare!

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu u përket shqiptarëve por edhe ballkanasve tjerë, sepse ai u përkiste tri feve, ndërsa kronistët thonë se fliste gjuhët e Ballkanit.

Gjergji ynë është pararendës i multikulturalizmit dhe multifetarizmit, që sot janë vlera të përbashkëta, por ideali i tij ishte liria e kombit. Hyjnitë ua falën arbërorëve Gjergjin për t’i frymëzuar, për t‘ua ndezë zjarrin e guximit, për të vepruar pareshtur për të mbajtur gjallë patriotizmin shqiptar, deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe me sjellë edhe pavarësinë e Kosovës.

Me manifestimin “ORA e GJERGJIT” po nisemi në rrugëtimin epik përgjatë Vitit të Skënderbeut, sepse ideja e luftës për liri na bënë bashkë dhe na mban në këmbë edhe sot pas 550-vjetësh.

Gjergj Kastrioti ishte ndër të parët në Ballkan, që vizion e kishte rreshtimin me Perëndimin dhe ishte përcaktues i rrugës të cilën shqiptarët do ta ruajnë në vazhdimësi.

Gjergj Kastrioti ishte dhe vazhdon të mbetët fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përhershëm, por që na u gjendën edhe në ditët e vështira dhe me të cilët jemi edhe sot.

Gjergji na është bërë mburojë, përkrenare ndër shekuj, dhe inspirim për ta ruajtur lirinë kombëtare edhe me çmimin e jetës.

Duke ju falënderuar të gjithëve, ju uroj Vitin e Gjergj Kastriotit!