Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka mirëpritur lajmin për Miratimin e Ligjit për përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë.

Miratimi i këtij ligji i jep gjuhës shqipe hapësirë më të madhe përdorimi, në të gjitha institucionet e këtij vendi, ka komentuar Haradinaj.

“Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe nga Kuvendi i Maqedonisë është lajm i gëzueshëm dhe arritje e madhe për të gjithë shqiptarët. Njëkohësisht, është hap i rëndësishëm për tërë rajonin dhe të ardhmen euroatlantike. Ndërtimi i harmonisë ndëretnike promovon paqe dhe stabilitet rajonal. Maqedonia sot e ka konfirmuar vullnetin dhe gatishmërinë për ndërtimin e një të ardhme të ndritur për të gjithë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.