Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në akademinë përkujtimore për 19 vjetorin e masakrës së Reçakut, falënderoi ish ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker, për ndihmën që dha në zbulimin e krimit mbi njerëzit në Kosovë.

Ka thënë se të vdekurve Kosova ua ka borxh ruajtjen e lirisë.

Postimi i Haradinajt:

Me pietet dhe krenari kujtojmë sot martirët e Reçakut, të cilët ranë duke kërkuar të drejten për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën tonë.

Masakra e Reçakut zgjoi dhe mobilizoi Perëndimin e lire, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Duhet t’i themi edhe sot, si përherë, falemnderit William Walker-it dhe vëzhguesve, që para botës zbuluan krimin mbi njerëzit e pafajshëm!

Përkujtojmë sot luftëtarët e lirisë dhe martirët dhe jemi pranë familjeve të tyre. Ajo që ua kemi borxh atyre, është ruajtja e lirisë kombëtare dhe ngritja e një Kosove demokratike e të mirëqenë, që ideal e ka punën dhe atdhedashurinë.

Gjaku i tyre u bë dritë për Kosovën! Lavdi e përjetshme martirëve të Reçakut!