Miratimi i ligjit të gjuhës shqipe është sukses i përbashkët i deputetëve në Kuvend me të cilin përfundon pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit, deklaroi deputeti i BDI-së Artan Grubi pas miratimit të ligjit të gjuhës shqipe në Kuvend.

“Që nga java e ardhshme edhe mbishkrimi në Kuvendin, në Qeveri do të jetë edhe në gjuhën shqipe dhe kjo është e drejtë ligjore. Ligji aktual është shtrirje maksimale në kuadër të kornizës që e lejon kushtetuta”, ka thënë Grubi në pres-konferencë.

Grubi i ka falënderuar të gjithë ata që kanë votuar “pro”, por edhe ata të cilët nuk kanë votuar “kundër” ligjit.

“Vlerësoj se ligji është i përkrahur nga të gjitha palët, pasi që të gjithë partitë janë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit. Pres që opozita ta përkrah këtë ligj, edhe pse nuk ishin në Kuvend gjatë kohës së votimit. Me këtë ligj do të fitojë Maqedonia, ndërkaq do të relaksohen marrëdhëniet ndëretnike, do të mbyllen shumë tema të cilat dalin nga pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit”, thotë Grubi.

Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të nënshkruhet edhe nga presidenti Ivanov, prej të cilit, Grubi pret përfundim pozitiv.

“Nëse Ivanov nuk e nënshkruan ligjin dhe merr pozitë kundër Marrëveshjes së Ohrit, ligji përsëri do të kthehet në Kuvend, ku përsëri do të votohet. E ftoj Ivanovin të jetë pjesë e tregimit të suksesshëm për rrumbullakësimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit”, tha Grubi.