Sot (15 janar 2018) Kryetari I Komisionit për Çështje Evropiane z.  Artan Grubi,  kryesoi me Mbledhjen e tetë në të cilën Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Republikën e Maqedonisë, Ivan Velikov Petkov i prezantoi Programin dhe prioritetet për punën e kryesimit të Bullgarisë me Këshillin e BE-së në gjysmën e parë të vitit 2018.

Ambasadori Velikov Petkov në fjalimin e tij i informojë deputetët dhe mysafirët e pranishëm për prioritetet, ndër të cilat e theksoi prioritetin e dytë kushtuar perspektivës evropiane dhe lidhshmërisë së Ballkanit Perëndimor në BE.

Në mbledhjen ishin të pranishëm edhe zëvendëskryetari i Qeverisë  për Çështje Evropiane z. Bujar Osmani, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Dimitorv, si dhe shefi i Delegacionit të BE-së në Maqedonisë, Ambasador Samuel Zhbogar.

Në Mbledhje ishin të ftuar dhe të pranishëm deputetë nga më shumë Komisione të Kuvendit, përfaqësues të përfaqësive Diplomatike-Konsullore në Republikën e Maqedonisë, si dhe përfaqësues të shumtë të organizatave vendore dhe ndërkombëtare nga organizatat joqeveritare dhe përfaqësues të medieve.

Në shtojcë të këtij njoftimi Ju dorëzohet Fjalimi hyrës i Kryetarit të Komisionit për Çështje Evropiane, z. Artan Grubi.

Fjalimi i plotë i Artan Grubit.

Unë sot po ju drejtohem në gjuhën shqipe, Nikolla do t’ju drejtohet në gjuhën Maqedonase, Ambasadori Petkov në gjuhën Bullgare, Ambasadori Zhbogar në Anglisht oseSllovenisht.

Të gjitha këto gjuhë janë shumë të bukura, e aq më të bukura bëhën kur me gjuhët që flasim ne mirremi vesh mes vete. Me gjuhën që përdorim, gjithësecili prej nesh, kemi filluar të flasim me njëri tjetrin, e jo më për njëri tjetrin.

Në gjuhët tona po flasim bashkë me Sofjen, me Athinën, me Brukselin dhe Washingtonin. Dallimin e bën fakti që sot po flasim bashkë, drejtëpërdrejt, sinqert dhe me njëri tjetrin, e jo më për njëri tjetrin.

E kur flasim me njëri tjetrin, në cilën do gjuhë që të flasim, ne do të mirremi vesh. Kur filluam të flasim me miqtë tanë në Sofje, u morëm vesh menjëherë dhe ja sot, me mburje them që në seancën e sotme plenare do ta ratifikojmë Marrëveshjen për Fqinjësi të mirë me Bulgarinë, menjëherë pasi të diskutojmë mbi prioritetet e vendit tonë fqinj dhe mik për kryesimin me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Kur flasim me njëri tjetrin, ne rrumbullakësojmë pjesën normative të një dokumenti kaq të rëndësishëm, të sponsorizuar nga SHBAtë, BEja, NATOja dhe OSBEja, Marrëveshjen Paqësore të Ohrit. Kjo është sukses i përbashkët dhe paraqet rrëfim të suksesit.

Kur flasim me njëri tjetrin në shtëpinë tonë të përbashkët të quajtur Maqedoni, bëjmë zgjedhje të mira, shkarkojmë kryeprokurorin regresiv dhe antireformues dhe zgjedhim me shpresë një kryeprokuror të ri progresiv dhe reformues, miratojmë ligjet reformuese me kohë, zgjedhim anëtarët e gjykatës kushtetuese, inkorporojmë rekomandimet e ODIHR dhe Venedikut, përzgjedhim ambasadorët dhe gati se në mënyrë të shkëlqyer plotësojmë listën e detyrave të shtëpisë.

Këto ditë kemi nisur të flasim me njëri tjetrin edhe me fqinjtë tanë në jug dhe kemi ndërprerë praktikën kur kemi fol për njëri tjetrin nëpërmjet të përmendoreve, stadiumeve, autostradave e librave. Po flasim hapur dhe po ndërtojmë masa të mirëbesimit. Kështu, unë më 29 janar do të ligjeroj në Universitetin e Selanikut, ndërsa në javën e parë të shkurtit do të takoj edhe Ambasadorin Grek në Washington si dhe negociatiorin z. Met Nimic në New York.

Me që po flasim me njëri tjetrin, e jo më për njeri tjetrin, miqve tanë në Bruksel po ju themi që nga to presim strategji afirmative dhe konkrete nga z. Junker, raport pozitiv nga komisioni evropian në prill, rekomandim të pastërt dhe të pakushtëzuar dhe më pas edhe datë për fillim të negociatave. Ja, këtë e presim nga miqtë tanë në Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare të unionit.

Po vijoj të flas në të njejtën vijë dhe po them që ne presim edhe nga fqinjtë tanë të bëhën përkrahësit tanë më të mëdhënj në rrugën tonë drejt strukturave EuroAtlantike, ato të bëhen pioner dhe sponsor të integrimit tonë.

Nga SHBA presim t’i prijë rrugës tonë drejt 12 korrikut në samitin e NATOsë në Bruksel, marrjes së ftesës dhe fillimit të procesit të ratifikimit të protokolit nga vendet anëtare të NATOsë gjatë një a po dy viteve të ardhshme.

Besoj që ju nga ne prisni t’i përmbushim detyrat e shtëpisë: sundim të së drejtës, reforma në gjyqësor dhe në sistemin e sigurisë, reforma në mentalitet e mendësi, reforma në mënyrën e zbatimit të pushtetit, rikthim të kredibilitetit të instuticioneve dhe besimit të qytetarëve në shtet, denoncim dhe përndjekje të korrupcionit dhe krimit të organizuar, shoqëri sekulare, funksionim të sistemit, meritokraci, media të lira, shoqëri civile të përfshirë dhe politikan të përgjegjësshëm dhe të barabartë para ligjit dhe institucioneve, mekanizma kontrollues aktivë, gjykatës dhe prokurorë të cilët nuk i orienton era, por fjala e së drejtës dhe drejtësisë.

Unë dhe kolegët e mi jemi gati. Ne shtrijmë dorën edhe deri te opozita që ti përqafon këto hapa të guximshëm sepse kjo agjendë nuk i takon BDIsë dhe LSDMë, por na takon të gjithë neve bashkarisht që ta miratojmë dhe zbatojmë sepse është agjendë e shtetit, është agjendë e qytetarëve tanë, për Maqedoninë që duan. Në lidhje me opozitën, pres se në Vitin e Ri, do të shohim një opozitë të reformuar dhe demokratike, e shkarkuar nga ngarkesa dhe e kaluara që e mbajnë me vete, të orientuar në ardhmërinë e këtij vendi, që së bashku me garniturën qeveritare do të luftojnë dhe do të kontribuojnë për ardhmërinë evropiane të Republikës së Maqedonisë, të shndërruar në frymën e konsensusit.

Le ta bëjmë bashkë vitin 2018 vit të Maqedonisë, vit të vendeve të Evropës Juglindore apo të Ballkanit Perendimor dhe vit të një rrëfimi të bukur dhe të suksesshëm të një bashkimi në Bruksel, ne, Maqedonia dhe ju, Bashkimi Evropian dhe NATO.

Duke uruar Ambasadorin Petkov për kryesimin e parë të Bulgarisë me Bashkimin Evropian, e ftoj ta merr fjalën