Gjeneral major Gëzim Ostreni  vazhdon të jetë aktiv në skenën politike duke qëndruar në krye të partisë UNITETI, pas ndarjes nga BDI dhe Ali Ahmeti, dikur bashkëpunëtorët më të ngushtë, që drejtonin partinë e dalur nga UÇK-ja.

Megjithatë Ostreni vazhdon të mos dorëzohet edhe pse ka mbushur 76 vjet. Ai shpeshherë ka thënë se është shumë vital dhe nuk i bën përshtypje mosha e thyer dhe vitet, informon INA.

Në shumë raste qëndron në Dibër, por kur ka aktivitet politik, ate nga Shkupi  vijnë e marrin me makinë.

Ostreni siç mësohet shumë shpejt mund të tërhiqet nga kreu i partisë së re që e themeloi dhe që pas një periudhe të shkurtër u nda në dysh. Por krahu i tij po mendon që ti bashkohet BDI-së, pasi që tashmë ekziston një koalicionim i heshtur.

Kush është gjenerali i dy luftërave?

Gëzim Ostreni është lindur në qytetin e Dibrës, më 1 nëntor 1942. Pas mbarimit të shkollës normale, mbaron edhe shkollën e oficerëve të rezervës si dhe disa kurse në Akademinë Ushtarake. Ai shumë vite ishte komandant i shtabit të mbrojtjes territoriale në Dibër, deri në vitin 1990, kur nga kjo detyrë shkoi në pension.

Pas shumë viteve thuhet se u diplomua në Fakultetin Filozofi dhe Sociologji në Prishtinë.

Me fillimin e luftës në Kosovë në vitin 1998- 99 ai i bashkohet UÇK-së, në fillim në detyrën e shefit të shtabit të Zonës së III, më pas komandant i Zonës së III Operative të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës me gradën Gjeneral Brigade. Në vitin 2000 gradohet Gjeneral Major dhe ngrihet në detyrën e Shefit të Shtabit të TMK. Në vitin 2001 me fillimin e konfliktit në Maqedoni merr detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ushtri që u krijua nga shqiptarët e Maqedonisë në mbrojtje të të drejtave të tyre legjitime. Së bashku me Ali Ahmetin, komandant dhe drejtues politik i kësaj ushtrie e detyruan faktorin ndërkombëtar dhe qeverinë, Parlamentin dhe Presidentin e Maqedonisë të nënshkruanin Marrëveshjen e Ohrit për të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, marrëveshje që tashmë është pasqyruar edhe në Kushtetutën e Maqedonisë. Nga 3 tetori i vitit 2002 është deputet i Kuvendit të Maqedonisë. Në vitin 2004 ka qenë kandidat për President i shtetit të Maqedonisë dhe nga viti 2002 deri në vitin 2006, nënkryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Në nëntor të vitit 2007 deponon në Gjykatën e Hagës për 19 ditë dhe argumenton me fakte dhe dokumente se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë një luftë e drejtë, për të drejtat themelore të shqiptarëve dhe që s’ka të bëjë aspak me veprimet terroriste. Mban gradën Doktor i shkencave.