Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se gjatë vitit që lamë pas në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 7 mijë e 643 aksidente, ku nga to 31 kanë qenë me pasoja fatale.

“Gjatë vitit 2017 në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 7.643 aksidente trafiku prej tyre:

31 Aksidente trafiku me pasoja fatale – 35 persona të vdekur
2.346 Aksidente trafiku me të lënduar – 4.598 persona të lënduar, si dhe
5.266 Aksidente trafiku me dëme materiale”,thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej policia përmes këtij njoftimi ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar.

“Duke parë si shqetësues këtë numër të madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.