Gazetari Arjan Çani ka komentuar lëvizjet në Prokurori.  Ai ka mbajtur të njëjtin qëndrim me deklaratat e tij të mëhershme që Kryeprokurorja e Përkohshme nuk mund të mos bënte lëvizje se në të kundërt për çfarë ishte zgjedhur. Çani tha se Prokuroria nuk është kundër pushtetit dhe kjo është logjike sipas tij, duke shtuar së fundmi edhe një parashikim për prekje të personave të rëndësishëm si nga pushteti edhe nga opozita.

“Drejtësi të pavarur nuk ka, ose nga njëra anë ose nga tjetra. Drejtësinë e pa varur të mos ia shesim kot qytetarëve se nuk ka. Ata që po tremben nga Drejtësia janë njerëzit që nuk kanë pushtet,” tha Çani  në “Studio e Hapur” në “News 24” .

“Nëse kjo drejtësi do të ketë ‘këllqe’ të prekë bosat e kampeve politike, atëherë po kemi diçka në vijë. Prokuroria nuk është kundër pushtetit logjikisht. Është një teatër i madh apo do të goditen peshqit e mëdhenj, kjo mbetet për tu parë.

Unë di kush janë peshqit e mëdhenj, por duhet të biem dakord se kë të quajmë peshqit e mëdhenj. Për mua po nuk qenë të rangut ministra, zv/ ministra nuk i quaj peshq të mëdhenj”, tha Çani.

Çani ka parashikuar se do të ketë rezultate shumë shpejtë nga Prokuroria. “Shumë shpejt prokuroria do të ngacmojë edhe pjesë të pushtetit edhe të opozitës”.