Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Madridi. Kështu njofton sot gazeta madrilene, “AS”. Ai ndjehet i mashtruar nga premtimet e rinovimit, që nuk i ka përmbushur mjaftueshëm Florentino Perez. Tani prioriteti i tij është përqendruar në rikthimin te Manchester United. Portugezi konsideron se “Old Trafford” është stacioni ideal për të vazhduar udhëtimin e tij. Në klubin anglez, ku ai luajti nga viti 2003 deri në nënshkrimin me Real Madridin, në vitin 2009, dhe me të cilin fitoi “Topin e Artë”, tashmë e dinë dëshirën e tij. Vendimi i yllit portugez është aq i fortë, sa ua ka komunikuar disa shokëve të skuadrës te “Los Blancos”.

Pas asaj që tregoi në finalen e Champions-it, në Cardiff, të cilën Real Madridi e fitoi falë dy golave të tij, CR7 i ishte premtuar për t’iu përmirësuar kontrata nga presidenti Perez. Megjithatë, ky rinovim nuk ka ardhur, pavarësisht faktit se lojtari ka bërë disa thirrje për vëmendje. “Unë dua të qëndroj në Madrid, nëse është e mundur”, – tha ai pas fitores të “Topit të Artë” të pestë. Në kushte të ngjashme u shfaq edhe pas Botërorit për Klube, kur e la topin në fushën e Florentino Perez. “Nëse është e mundur, unë do të doja shumë të dilja në pension te Real Madridi. Por kjo nuk varet nga unë, nuk jam unë bosi i klubit”. Këto mesazhe nuk kanë gjetur jo vetëm asnjë përgjigje, por pas përpjekjeve për nënshkrimin me Mbappé verën e kaluar, tashmë “Los Blancos” po përpiqen ta bëjnë këtë me Neymar.

Pavarësisht se është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit madrilen, Cristiano Ronaldo nuk ka pasur ndjenja të mira me Perez dhe ka hasur gjithmonë vështirësi, kur ka negociuar rinovimin. Portugezi ka fituar tre nga katër “Topat e Artë” të fundit, pesë në total, po aq sa Messi. Megjithatë, kjo nuk e ka ndihmuar atë të jetë një nga tre më të paguarit në botë. Për më tepër, në renditjen e lojtarëve me paga më të mira, Ronaldo renditet i pesti me 21 milionë euro në sezon, neto, pas rinovimit të saj të fundit, që daton nga nëntori 2016. Por, kjo shifër është larg nga ajo që merr Messin dhe Neymar. Argjentinasi përfiton rreth 50 milionë euro neto (përveç bonuseve) në sezon, pasi rinovoi kohët e fundit me Barcelonën, ndërsa mesfushori brazilian i PSG-së arkëton 36 milionë euro neto në vit.