Një shpërthim ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në një pallat pesëkatësh në komunën Sesto San Giovanni në provincën e Milanos.

Mësohet se 6 persona janë plagosur mes tyre dhe 5 anëtarët e një familje shqiptare.

Sipas hetimeve të para shpërthimi ka ndodhur në apartamentin e një 73-vjeçari italian i cili ka pësuar djegje të rëndë në trup. Banesa e tij është shkatërruar plotësisht.

Në apartamentin ngjitur me të strehohej një familje emigrantësh shqiptarë me 5 anëtarë; një cift i ri në moshën 35 e 32 vjeç, prindërit e njërit prej tyre në moshën 68 e 62 vjeç e djali 10 muajsh.

Verifikimet e mëngjesit të sotëm kanë bërë që pallati është deklaruar i pabanueshëm e autoritetet italiane kanë evakuuar të gjithë banorët duke i strehuar në hotelet e zonës.

Bëhet me dije se të plagosurit kanë marrë plagë djegie në trup e ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk ka një deklaratë zyrtare mbi motivin e këtij shpërthimi por sipas Roberto Di Stefano kryetarit të Bashkisë së komunës Sesto San Giovanni, ‘hetimet e para hedhin dyshimin e shpërthimit të një bombule gazi.”

“Shpërthimi i ngjante një bombe” kanë rrëfyer banorët e pallatit. Ishim në gjumë e na ka trembur shumë.”