Interi në këtë sezon nuk luan në Europë, por në Serie A synon një vend në Champions League, dhe pse jo titullin kampion.

Pritet që drejtuesit e klubit zikaltër të bëjnë një merkato cilësore në janar, për të forcuar grupin e drejtuar nga Spalletti.

“Jeta është plot me surpriza dhe të tilla mund të ketë edhe merkato e janarit. Për ne nis një kapitull i ri, ndërkohë që sfidat na motivojnë më shumë, pasi vazhdojmë të përballemi për t’i arritur ato pa keqardhje. Janari do të jetë vendimtar për merkaton zikaltër, pasi duam një Inter të fortë dhe do të bëjmë maksimumin për të patur një ekip në majë”, u shpreh Steven Zhang Jr., një nga drejtuesit e klubit zikaltër, që ndodhet në Milano ditët e fundit.

Më tej, Zhang deklaroi se do të ndërhyjë në merkato, por aty ku skuadra do të ketë nevojë, pa bërë përmbysje të mëdha.

Rezultatet zhgënjyese të javëve të fundit në kampionat duket se kanë bindur drejtuesit të ndërhyjnë në merkato.

“Disa lëvizje do të bëjmë, por do të jemi të kujdesshëm dhe presim momentin e duhur për të bërë ndonjë mrekulli”, tha Zhang, ndërkohë që emrat e Deufelou, Mkhitarian e Pastore janë ata që përfliten më shumë për të ardhur në Milano.