Në vitin 2017 shërbimet e aeroportit “Aleksandri i Madh” në Shkup dhe të aeroportit “Shën Apostul Pali” në Ohër, i kanë shfrytëzuar mbi 2 milionë pasagjerë. Për dallim nga viti 2016, kjo paraqet rritje prej 13%. Këto të dhëna i publikoi “TAV Maqedoni”.

“Këto numra i kemi arritur kryesisht si rezultat i punës dhe sigurisht linjat e reja në të dyja aeroportet në Shkup dhe Ohër, ndikuan në rritjen e frekuencës së linjave ekzistuese. Në vitin 2018 edhe më tej do të jemi të fokusuar në zgjerimin e rrjetit me avio-linjat, por gjithashtu qëllimi ynë është që të sigurojmë shërbime me cilësi të lartë për pasagjerët dhe klientët tanë”, tha Drejtori gjeneral i TAV Maqedoni, Alper Ersoj.

TV21 u mundua të kuptojë prej qytetarëve se sa është rritur zakoni i tyre për të udhëtuar dhe se a kanë vizituar ndonjërin prej destinacioneve që i mundësojnë aeroportet e vendit.

“Po, njerëzit më shumë do të udhëtojnë, do të dinë edhe rregullat e udhëtimit me avion dhe sigurisht që kjo gjë do të ndikojë dhe në kulturën e njerëzve”.
“Zvicër, në Gjenevë. Po, mendoj se kjo do të ndikojë që qytetarët më lehtë të shkojnë për punë jashtë vendit”, thanë qytetarët.

Paralelisht me rritjen e numrit të pasagjerëve, numri i përgjithshëm i fluturimeve në të dy aeroportet, është rritur për 7%, duke arritur mbi 18 mijë fluturime në vitin 2017.

Të dhënat tregojnë se destinacione më të vizituara për vitin 2017 të qytetarëve të vendit janë: Stambolli, Cyrihu, Vjena, Bazeli, Malmo dhe kryeqyteti britanik Londra.

Numri i përgjithshëm i avio-linjave nga aeroporti “Aleksandri i madh”, është 36, ndërsa 11 avio-kompani i realizojnë këto linja. Sa i përket aeroportit “Shën Apostul Pali” në Ohër, atje ka 3 linja të rregullta gjatë tërë vitit dhe 4 carter-destinacione sezonale shtesë gjatë verës.

Pritet që këtë vit të ketë edhe tre avio-linja të reja sezonale nga Ohri në Varshavë, Talin dhe Eindhoven. Për ndryshe Maqedonia ende mbetet një nga vendet e rralla e që nuk ka akoma një avio-transport kombëtar.